FLUTURIMI MBI PEJË

Fluturimi mbi qytetin e Pejës është një përvojë krejtësisht ndryshe nga përvojat e tjera rekreative të ofruara në destinacionin e Pejës. Të përjetosh Pejën nga toka është një përvojë unike, por ta përjetosh atë nga ajri është një përvojë që do të mbetet gjithmonë në kujtimet tuaja. Bukuria e qytetit, lumi që rrjedh përgjatë qytetit duke e ndarë në dy pjesë, parqet dhe oazat e gjelbëruar, panorama e Grykës së Rugovës dhe kurorat e bjeshkëve tw Pejës, majat e maleve mbi 2000 m dhe shumë atraksione të tjera mund të përjetohen krejtësisht ndryshe nëpërmjet aktivitetit të fluturimit me paragliding apo edhe para-motor.

Fluturimi ka filluar të zhvillohet relativisht herët në Pejë diku në vitet e 50-ta si aktivitet rekreativ dhe si sport, ndërsa në ditët e sotme ky aktivitet ofrohet edhe si atraksion turistik dhe shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës që e vizitojnë Pejën janë mjaft kureshtarë të përjetojn këtë ofertë turistike. Ky aktivitet ofrohet nga vende të ndryshme si “Maja e Zezë”, e cila ndodhet në veri të Pejës, dhe fluturimi prej andej është shumë tërheqës pasi ju jep mundësinë të përjetoni qytetin e Pejës nga lart dhe pika tjetër është nga bjeshka e Lipës që është gjithashtu një pikë tërheqëse me pamje mahnitëse nga ujëvara e Drinit të Bardhë dhe rrafshi i Dukagjinit ku mund të shihen komunat tjera si Istogu, Klina, pastaj nga malet e Rugovës dhe Bjeshkët e Nemuna, nga maja e Gurit i Kuq 2552m dhe Çfërles 2461m.

sqAlbanian
Scroll to Top