MUZEU I PEJËS
HAPUR PËR VIZITORËT: 08:30-15:30
Për periudhën maj-tetor,
Muzeu mund të vizitohet gjatë fundjavës në orët: 10:00 – 14:00.
Tel: +383 39 431 976 | Email: besa.berisha@rks-gov.net
Adresa: Sheshi Haxhi Zeka.
Rreth Muzeut
I vendosur në sheshin Haxhi Zeka në një pikë mjaft qarkulluese e cila lidh pjesën e qendrës së Pejës me Çarshinë e vjetër gjindet Konaku i vjetër i Tahir Beut, një shtëpi e vjetër tradicionale e Pejës e ndërtuar në Shek. XVIII që ka shërbyer edhe si “konak” (bujtinë) për kalimtarët dhe tregëtarët e rastit nga vende të tjera, të cilët e kanë frekuentuar qytetin e Pejës për qëllime tregëtare. Brenda hapsirave të kësaj shtëpie që përbëhet nga kati përdhes dhe kati i parë, janë 2 ekspozita (etnologjike dhe arkeologjike) me afro 2000 eksponate, të cilat prezantojnë historinë e Pejës në periudha të ndryshme kohore duke filluar nga ato Ilire, e deri në ditët e sotme. Vlera edhe më e madhe e këtij muzeut tregohet në dinamiken e aktiviteteve. Pothuajse gjatë gjith vitit stafi i tij organizon aktivitete të ndryshme me gjenerata të ndryshme të qytetarve të cilat kanë për qëllim ruajtjen e tashëgimis kulturore, prezantimin e sajë, edukimin e gjeneratave të reja si dhe promovimin e trashëgimis së Pejës në nivel nacional dhe ndërkombëtar. Ky muze njëherit është në shërbim të të gjithë qytetarve të gurpmoshave dhe nacionaliteteve të ndryshme.
Historia e Muzeut të Pejës
Muzeu i Pejës është Institucion kulturor që trajton ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimis kulturore dhe vepron në kuadër të komunës së Pejës. Është themeluar në vitin 1971 i emëruar si “Muzeu I Revulucionit” dhe ka shërbyer për prezantimin e materialit historik mbi Luftën Nacional Çlirimtare (LNÇ) gjatë Luftës së Dytë Botërore që është zhvilluar në territorin e Komunës së Pejës. Në vitin 1977 themelohet “Muzeu Etnologjik” me qëllim të promovimit të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të Rajonit të Pejës. Edhe pse ishte themeluar më heret, veprimtaria e saj ka filluar në vitin 1983 në hapësirat e Bashkësis së Kulturës (tani Shtëpia e Kulturës), për tu vendosur pastaj në ”Konakun e Tahir Beut” në vitin 1989, ku edhe tani zhvillon veprimtarin e saj. Në vitin 1992 është bërë bashkimi i këtyre dy muzeve duke vepruar në të njëjtin object, konakun e Tahir Beut si “Muzeu Rajonal i Pejës – Sektori I Etnologjisë” në të cilin njëhkohësishtë janë zhvilluar aktivitete edhe në sektorin e arkeologjisë dhe historisë. Me qëllim që ky muze të zhvillohet edhe më shumë në sektor tjerë, Kuvendi Komunal në vitin 2015 ka aprovuar Statutin e ri të Muzeut ku është ndryshuar edhe emri nga “Muzeu Rajonal i Pejës – Sektori i Etnologjisë” në “Muzeu i Pejës”. Muzeu i Pejës ka një fond prej afro 2000 objekteve muzeore, gjegjësisht eksponateve etnologjike, artefakteve arkeologjike dhe dokumenteve historike, të cilat janë koleksionuar gjatë shumë viteve pune në terren por edhe falë donacioneve të qytetarëve dhe Muzeut të Kosovës. Një numër i konsiderueshëm i këtyre objekteve muzeore janë të paraqitura në dy ekspozita permanente, ekspozitën etnologjike dhe ate arkeologjike dhe prezentojnë trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore materiale dhe shpirtërore të Rrafshit të Dukagjinit, një trashëgimi që është zhvilluar gjatë periudhave të ndryshme kohore dhe nën ndikimin e kulturave të ndryshme, të cilat kultura edhe janë gërshetuar mes vete, që shihet qartë në të gjitha fushat dhe aspektet jetësore si në: veshje, arkitekturë, zhvillimin e jetës sociale, kulturore, ekonomike, etj.
Ekspozita Etnologjike
‘Trashëgimia Kulturore Etnologjike e Rrafshit të Dukagjinit’, është hapur në vitin 1989. Prezenton trashëgiminë materiale dhe shpirtërore të Rrafshit të Dukagjinit,nëpërmjet koleksioneve të ndryshme si: veshje tradicionale të zonës (veshja e Rrafshit të Dukagjinit dhe veshja e Rugovës), punime tekstili, shtroje, stoli, armë, enë, arka dhe orendi tjera shtëpiake, vegla pune, instrumente muzikore, etj. Të gjitha këto eksponate janë punime artizanale të zejtarëve vendorë të punuara, kryesisht nga burrat, me materiale të ndryshme dhe vegla pune të thjeshta, si dhe punime të grave të cilat, me një mjeshtri të rallë dhe sens tejet kreativ dhe artistik, kanë krijuar vepra arti të punuara me endje në vek si: qylyma, shtroje të ndryshme, pjesë të veshjeve tradicionale, pastaj punime me grep, gjilpërë, etj. Këto punime i përkasin shek. XVIII, XIX dhe XX.
Veshja e Rrafshit të Dukagjinit
Veshja e Rrafshit të Dukagjinit përbëhet nga këmisha e bardhë e gjatë, e endur në vek dhe e dekoruar me qëndisje në pjesën e gjoksit dhe në jakë, jeleku apo xhemperi i zi ose ngjyrë kafe, pështjellaku i përparmë, pështjellaku i pasëm, mëngë të punuara me grep, në kokë ka lidhcën dhe marhamën, çorapet e zeza dhe opingat. Varësisht nga mosha, veshja e Rrafshit të Dukagjinit, që ndryshe quhet edhe ‘veshja e katundit’ apo e ‘Podgurit’, ndahet në veshjen e vajzave, të nuseve dhe veshjen e plakave, e cila është më pak, ose fare e dekoruar me qëndisje
Veshja e nuseve të Rugovës
Veshja e nuseve të Rugovës karakterizohet me laramani të ngjyrave dhe motive të shumta, e punuar nga pëlhura dhe e dekoruar me qëndisje me penj, mëndafsh dhe rruaza shumëngjyrëshe. Përbëhet nga: këmisha e gjatë deri tek gjunjët me mëngë të shkurtëra; pastaj fustani, që ka formën e një fundi shumë të gjërë (i përbërë me 120 copë kinda), që gjason edhe me fustanellën; klindat apo brekët; 4 shami shumëngjyrëshe që lidhen në pjesën e përparme të cilat simbolizojnë plleshmërinë, begatinë, lumturinë dhe mbarësinë në jetë; pështjellaku i pasëm; jeleku i zi, i quajtur ‘krahcë’; shoka; shamia e kuqe e kokës; mëngë të punuara me grep (nga kyçi i dorës deri tek bërryli), çorape të zeza dhe opinga, ndërsa gjoksi është i stolisur me stoli argjendi. Veshja e nuseve të reja të Rugovës karakterizohet edhe me dekorimin e nuses me tufa dhe hajmali, të punuara me grep apo rruaza shumëngjyrëshe por edhe argjendi, të cilat vendosen për t’a mbrojtur ’të renë’ (nusen) nga ‘syri i keq’ apo, siç njohet në popull ‘mësyshi’. Veshja e grave të moshuara është më pak e qëndisur dhe e dekoruar, në të dominojnë vetën ngjyra e bardhë dhe e zezë dhe, në vend të shamive shumëngjyrëshe vihet pështjekëllaku i parmë, ndërsa në kokë shamia e bardhë. Edhe veshja e vajzave të reja dallohet nga pështjellci, që është një fund i leshtë, i punuar me kërrabëza dhe i dekoruar me një gajtan të qëndisur me tel.
Veshja e burrave të Rugovës
Veshja e burrave të Rugovës është e punuar nga materilali i leshit dhe përbëhet nga: tirqit, këmisha e bardhë nga pëlhura, e punuar në vek, me mëngë të gjata, shoka me vija shumëngjyrëshe, ku vendoset koburja, çorapat prej leshi dhe opingat. Në kokë ka plisin dhe një shall të bardhë mëndafshi me gjatësi 3m dhe gjërësi 60cm, që mbështillet dy herë rreth kokës dhe dy herë rreth qafës, i cili shërben edhe si mbulesë apo mbështjellës për personin në rast të vdekjes (qefin).
Xhubleta
Xhubleta është veshje tipike e grave të Shqipërisë Veriore, Malësisë së Madhe, Rugovës, Dukagjinit dhe trevave shqiptare në Malin e Zi. Është një fund në trajtë këmbane e valëzuar, sidomos në pjesën e pasme. Përbëhet nga një numër i madh (13-17) rripash shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me shumë mjshtri mes vete me breza gajtanësh të hollë leshi, ndërsa në supe mbahet e varur me dy rripa të gjërë, poashtu shajaku. Pjesët tjera të xhubletës janë: xhoka (kraholina), kërdhokla, paraniku (përparëse në formë trapeze, poashtu e valëzuar në fund), prapaniku (e ngjajshme me paranikun por më e vogël), çorapet, kallmat e shputat, etj. Shekuj më parë, xhubleta punohej me më shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur deri në ditët e sotme janë: e zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Xhubleta me formën, strukturën dhe sistemin e saj dekorues është trashëgimi e qartë e kulturës ilire. Varësisht nga mosha, statusi social apo edhe rëndësia e rastit, xhubleta dekorohet me një mori motivesh dhe, simbolet më të shpeshta që paraqiten në të janë: Hëna, Dielli, kryqi i thyer (swastika), pastaj simbolet që paraqesin lidhjet me besimin tek Zoti, dashurinë dhe bukurinë e femrës malësore, peshku, yjet, insekte të ndryshme, si frymëzim i mjedisit ku kanë jetuar, koka e demit, kulti i gjarpërit dhe akrepit, e mbi të gjitha emblema më e dukshme është shqiponja. Një xhubletë solemne, me të gjithë aksesorët/stolitë, peshon rreth 14-15kg.
Ekspozita Arkeologjike
“Trashëgimia Kulturore Arkeologjike e Rajonit të Pejës” është hapur në vitin 2014 me rastin e shënimit të ‘Ditës Ndërkombëtare të Muzeut’ dhe prezenton trashëgiminë arkeologjike të Rajonit të Pejës. Artefaktet e prezentuara në këtë ekspozitë janë gjetje të gërmimeve arkeologjike të kryera gjatë viteve 1979-1999, të mbështetura nga Instituti Krahinor për Mbrojtjen e Monumentetve të Kosovës dhe ai Republikan i Beogradit, në disa lokalitete si: në qytetin antik të Pejës-Gradina, Lubozhdë të Istogut, Banjë të Pejës, Vrellë, Istog, Nakëll, etj. Një numër i këtyre artefakteve janë edhe gjetje të rastësishme të qytetarëve, kryesisht në pronat e tyre, siç është rasti me altarin votiv, të gjetur rastësisht së fundmi në fshatin Gramaqel. Këto gjetje arkeologjike dëshmojnë për historinë e lashtë të Pejës për të cilën burimet arkeologjike tregojnë se ishte lokaliteti i dytë me rëndësi në territorin e Kosovës, në rang të “Municipumit” (qytetit), pas Ulpianës. Peja, si qytet, për herë të parë përmendet në veprën “Gheographia” të Ptolemeut (87-150) me emrin ‘Siparantum’, ndërsa Procopi (565), historian bizantin, lokalitetin e përshkruan me emërtimin ‘Pentza’, e që më vonë merr trajtën ‘Pek-Pekia-Peja’. Në antikitet Peja njihet me emrin ‘Gradina’, gërmadhat e së cilës ekzistojnë edhe sot në afërsi të Fabrikës së Bateriave. Artefaktet si: stela, cipusi e altarë votivë, të zbuluara në këtë lokalitet, gjenden të ekspozuara në Muzeun e Pejës. Në koleksionin e artefakteve arkeologjike të Muzeut të e Pejës bëjnë pjesë edhe vegla pune nga guri,monedha bronzi, pjesë qeramike, llamba vaji, etj., të cilat u takojnë periudhave të ndryshme kohore, duke u nisur nga periudha parahistorike, iliro-dardane, bizantine, slave e osmane. STELA DHE CIPUSI Stela e prezentuar në Muzeun e Pejës është gur mbivarror e thyer në dysh, e gjetur në gërmadhat e qytetit antik të Pejës-Gradina, në afërsi të Fabrikës së Baterive më 1978. Sipas deshifrimit të arkeologëve, stela është gur i një varreze familjare, ku janë të skalitura tri portrete, një burrë në mes dhe dy gra anash, të cilën e ka ngritur Valens Sita për së gjalli vetes, bashkëshortes Dede Iuncte dhe vajzës Ania Dasit. Është e zbukuruar anash me motivin e dy kërcejve të hardhisë së rrushit dhe gjetheve të urthit, të cilat dalin e rriten nga amfora në fund të stelës, pranë të cilës gjendet edhe një enë e rrëzuar. Është e punuar në mermer të bardhë, me përmasa 195 x 65 x 25cm, dhe përbehet nga frontoni, nisha dhe fusha mbishkrimore. Për nga forma dhe zbukurimi është stelë tipike dardane e shek. II-III të e.s. Edhe cipusi është gur mbivarror me një formë specifike të gurëve mbivarror të varrezave ilire në formë prizme apo cilindri, me mbishkrim apo dekorim i cili i takon, poashtu shek. II-III të e.s.
Publikimet e Muzeut
Muzeu i Pejes
Ky katalog ka për qëllim informimin sa më të mirë të publikut të gjerë rreth punës, veprimtarisë dhe aktiviteteve të Muzeut të Pejës në hulumtimin, mbledhjen, ruajtjen, prezentimin dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore materiale dhe shpirtërore të Rajonit të Pejës. Lexuesit, shumë herë, kanë pasur rastin të informohen për Muzeun e Pejës si pikë turistike, krahas pikave të tjera atraktive me rëndësi kulturore-historike të Pejës, në Informatorë Turistikë dhe Fletëpalosje të shumta, të botuara nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik-Zyra për Informata Turistike. Në këtë Katalog do të prezentohet vetëm Muzeu i Pejës, si Institucion Kulturor dhe, ‘Konaku i Tahir Beut’, si monument kulturor.