RUGOVA


Regjioni i Bjeshkëve të Rugovës shtrihet në veripërëndim të qytetit të Pejës dhe ka sipërfaqe prej 32.492.96 ha, në të cilën sipërfaqe shtrihen 13 fshatra dhe është njëri nga regjionet malore me pasuri më të mëdha natyrore. Bukuria e këtij regjioni është Gryka e Rugovës, e cila fillon vetëm 2 km larg nga qendra e qytetit, me një gjatësi prej 12 km dhe këtu pastaj fillon të hapet . Lumi Lumbardhi i cili formohet nga burimet që gjenden në pjesë të ndryshme të Rugovës, me gjatësi prej 56 km dhe me vrullshëmëri të madhe të ujit, e ndan këtë Grykë në dy pjesë, duke i dhënë madhështinë me shkëmbinjtë kolosalë dhe madhështorë të cilët arrijnë lartësinë mbidetare deri në 2000m , ujërat që burojnë nga shkëmbinjtë duke krijuar ujëvara, shpellat, etj.

Pothuajse në të gjithë hapësirën e Bjeshkëve të Rugovës mund të hasësh në mrekullitë që gjenden të fshehura nën egërësinë malore të florës. Janë 2 liqejtë madhështoë që gjenden në lartësi mbidetare prej 1860m në Leqinat të Kuqishtës, dy ujëvarat në Rekën e Allagës, flora dhe fauna e shpërndarë në të gjithë regjionin, pamjet e bukurive që mund ti vëzhgosh nga bjeshkët e ndryshme, etj. Në ditët e sotme këtë regjion malor janë duke e vizituar gjithnjë e më shumë banorët e Kosovës jo vetëm për shetitje por edhe për të kryer aktivitete rekreative.

Ky regjion ka fituar edhe emër të destinaconit turistik ku vizitorët vijnë posaqërisht për ti vizituar bukuritë që ofron ky regjion malor e dhe për të kaluar kohën në një ambient ende të paprekur nga dora e njëriut.



FLORA FAUNA



Pasuritë e shumta të cilat janë mbrojtur më fanatizëm nga banorët e kësaj treve kanë ndikuar që ky regjion malor të ketë një botë të larmishme të florës dhe faunës.
Ekzistojnë më se 375 lloje të bimëve të identifikuara në këtë regjion, të cilat janë të shpërndara në tërë regjionin e Rugovën, varësisht nga klima, shtrirja dhe lartësia. Ndër më të rëndësishmet që mund të përmendim janë Ylli Alpin si dhe frozacioni i Gubavcit, i cili është e shpallur zonë e mbrojtur, pasi që aty gjenden bimë të rralla si Forsythia Europea.
Fauna e cila gjendet në këtë regjion malor është mjaft e pasur, por e koncentruar në vende të caktuara. Si gjallesa më karakteristike mund të përmendim gjelin e egër, rrëqebullin, ariun e murrmë, shqiponjën, etj.



GASTRONOMIA



Tradita e vjetër e përgatitjes së ushqimeve është prezent pothuajse në çdo shtëpi, si edhe në restorantet që ofrojnë ushqim për vizitorët e shumtë të cilët i kalojnë pushimet ditore apo ato të vikendit, gjë që e karakterizojnë këtë regjion si një ndër regjionet me menynë më të pasur të gastronomisë.
Ushqimet më të preferuara nga menyja e gastronomisë së regjionit malor të Rugovës janë: maza e zier, leqeniku, kryelana, flia, etj. të cilat punohen ende me mjeshtërinë e vjetër nga shtëpiaket në këtë trevë malore.



AKTIVITETET



Me pasuritë e mëdha që disponon, regjioni malor i Rugovës ofron mundësi të shumta për kryerjen e aktiviteteve rekreativo-sportive ku shumë dashamirë të natyrës, entuziastë të bjeshkëve dhe sportistë e kalojnë kohën duke shijuar ajrin e pastër, natyrën e gjallë dhe kënaqësinë e pamjeve piktoreske. Janë të shumta aktivitetet që zhvillohen në këtë regjion malor nga popullata vendase, si dhe nga vizitorët e shumtë që gjatë gjithë vitit e vizitojnë këtë regjion të bukur malor. Janë mjaft atraktive aktivitetet e ngjitjes në shkëmbinj, ecjet malore, pushtimi i majave malore deri në 2530 m, eksplorimet në shpella, Via Ferrata, ekskursionet ditore dhe pushimet vikendeve, kampingjet, aventurat e ndryshme, skialpinizmi, ecjet me shputa bore, skijimi i lirë, etj. Janë të gjitha këto aktivitete që kryhen duke ju falënderuar natyrës së egër dhe të virgjër, si dhe përshtatshmërisë së shtrirjes, lartësisë, pasurive ujore, shumëllojshmërisë së florës dhe faunës.



KULTURA DHE TRADITA



Mikpritja është gjithmonë arma më e fortë për ta identifikuar një kulturë dhe traditë të një vendi. Ky regjion shquhet për mikpritjen e banorëve lokalë dhe është një ndër karakteristikat që mund të hasni edhe tek banori i parë që do ta takoni.
Veshjet kombëtare tradicionale të këtij regjioni malor janë pothuajse kudo prezente tek të moshuarit, të cilët e kanë ruajtur traditën dhe kulturën e tyre me fanatizëm të madh dhe mburren me trashëgiminë e tyre brez pas brezi.
Organizimi i lojërave tradicionale, martesat në mënyrë tradicionale, vallja karakteristike rugovase, këngët, punimet e instrumenteve muzikore dhe punimet tjera nga druri e karakterizojnë këtë vend si mjaft atraktiv me vlera dhe tradita të shumta kulturore e që është një vend shum atraktiv për çdo vizitor.