KULTURA DHE TRADITAT E RUGOVËS

FOLKLORI

Tradita folklorike e Rugovës është një thesar me vlera të mëdha e cila pasuron visarin tonë kombëtar me vlera të larta të artit të vërtetë. Rugovasi shekuj me radhë e ka pasur folklorin e vet të vetmin argëtim. Nëna rugovase me këngë e vë djalin në gjumë, duke përkundur në djep; me këngë përcillet fejesa dhe “kenaxheqi” dhe martesa e vajzave, me këngë kushtrimi rugovasi shkonte në luftë. Bariu i deleve nuk del në kullota pas tyre pa fyell në brez. Me vargje të prekshme elegjiake e përcjell vajtorja rugovasin ne rrugën e fundit të jetës së tij. Prandaj kjo e tregon vlerën e madhe dhe të gjërë të folklorit rugovas e cila ende kultivohet dhe ruhet brez pas brezi.


VESHJA POPULLORE E RUGOVËS

Rugova si një krahinë etno-gjeografike veçohet nga një varg manifestimesh të kulturës materiale dhe shpirtërore. Në kuadrin e këtyre manifestimeve s’do mend se veshja zë një vend me rëndësi. Kjo veshje me përmbajtjen e sajë si vlerë materjale artistike, ofron mundësi për studime komperative, si në planin topologjik ashtu edhe në atë morfologjik e ornamentik, me vështrime gjithmon të mundshme sinkronike e diakronike. Ajo është një veshje e pasur, karakteristike, me gjurmë lashtësie e krijuar me shekuj dhe e ruajtur deri me sot.
Kjo veshje tradicionale karakterizohet me ngjyrat tipike ku në veshjen e burrit dominon ngjyra e bardh dhe e zez, ndërsa tek femrat është e kombinuar edhe me ngjyrën e kuqe.