QYTETI PEJËS


Historia, kultura, tradita, pasuritë natyrore, pozita e shtrirjes, ambienti i mbrojtur, tokat pjellore etj., janë këto elemente që e identifikojnë qytetin e Pejës si qytet turistik i cili vizitohet gjatë tërë vitit nga vizitorët e vendeve të ndryshme.
Qyteti ka një histori mjaft të vjetër dhe veçohet në Kosovë si qytet turistik. Shënimet e ndryshme tregojnë ekzistencën e këtij qyteti në mënyrë të organizuar qysh nga kohërat ilire dhe, poashtu, Peja përmendet si njëri ndër qytetet kryesore edhe rrugë lidhëse e karvanëve të shumtë tregtarë që kanë udhëtuar nga Venediku dhe Raguza ( Dubrovniku i vjetr).
Ta vizitosh Pejën do të thotë të shtegtosh nëpër kohëra të ndryshme, duke filluar nga kohërat ilire, bizantine, otomane, luftërat botërore e deri në ditët e sotme. D.m.th., gjatë vizitave që do t’ia bëni këtijë qyteti, do të hasni në gjurmë të objekteve të ndryshme historike që kanë mbetur nga kohërat e ndryshme. Edhe pse gërmadhat janë mbuluar dhe nuk janë bërë hulumtime arkeologjike ende, mund të fillohet me historinë ku qyteti i Pejës ka qenë i shtrirë në periudhat ilire ( ndërsa gurët e gjetur mund të shihen në muzeun etnografik), pastaj vizita objekteve religjioze si xhamitë dhe kishat katolike e ortodokse, teqetë, Hamami i Haxhi Beut, Mulliri i Haxhi Zekës, kullat në Pejë të ndërtuara nga guri, shtëpitë e vjetra qytetare, kultura e veshjes dhe traditat e vjetra të banorëve, punët artizanale, etj. Përveç shtegtimit kulturor që ofron, Peja ka një pasuri të madhe natyrore e cila e rrethon në pjesën veriperëndimore dhe gjendet vetëm 1 km larg nga qendra e qytetit. Pasurinë më të madhe e përbën regjioni malor i Rugovës i cili është pjesë e sistemit të vargmaleve të Bjeshkëve të Nemuna. Ndër pasuritë që mund të përmendim janë Gryka e Rugovës, lumi Lumbardh, liqejt në lartësi prej 1860m, shpellat, ujërat e shumta, pasuria e florës dhe faunës, majat malore mbi 2000 m, etj. të cilat u ofrohen për shfrytëzim vizitorëve. Një nga atraksionet kryesore të qytetit të Pejës është edhe Ujvara e Drinit e me gjatësi prej 30m e cila vizitohet gjatë tërë vitit nga vizitorët e shumtë vendor dhe të huaj.



OBJEKTET KULTURO HISTORIKE



Në qytetin e Pejës dhe rrethinës gjendet një numër i madh i objekteve kultur-historike të cilat shprehin kulturën dhe traditën e kësaj komune që nga kohërat ilire e deri në ditët e sotme.
Ekzistojnë shumë objekte me vlera historike, siç janë: kullat e gurit, shtëpitë e vjetra, objektet religjioze, siç janë gjamitë, kishat katolike dhe ortodokse, teqetë, pastaj hamami i Haxhi Beut, mulliri i Haxhi Zekës, kompleksi i Çarshisë së Vjetër, si dhe objekte tjera që qytetit të Pejës i japin një histori të vjetër të zhvillimit në periudha të ndryshme kohore.
Janë të gjitha këto objekte që karakterizohen me ndërtime arkitektonike nga mjeshtrit e kohërave të vjetra që kanë punuar ndërtime nga guri dhe druri.
Prandaj është e pashmangshme që të vizitohet qyteti i Pejës e të mos kalohet nëpër pika interesante që të qojnë në kohëra të ndryshme.



KULTURA DHE TRADITA



Zhvillimi i hershëm i këtij qyteti ka ndikuar edhe në zhvillimin e kulturës dhe traditës së vjetër, duke u bartur nëpër kohëra deri në ditët e sotme.
Veshja tradicionale është njëra nga motivet që është ruajtur në mënyrë origjinale dhe vazhdon të ruhet edhe në ditët e sotme. Karakterizohet me ngjyrat bardhë e zi tek gjinia mashkullore, ndërsa tek gjinia femërore dominon edhe ngjyra e kuqe.
Është mjaft e rëndësishme të përmendet edhe ruajtja e traditës së martesave në stilin e vjetër e që ende aplikohen, rendi dhe rregulli shtëpiak dhe mënyra e sjelljes në shtëpi, vallja tradicionale, përgatitja e ushqimeve tradicionale si dhe kultura dhe tradita tjera.



ARTIZANANTET



Qyteti i Pejës njihet qysh nga kohërat e hershme si qytet tregtar dhe artizanal. Artizanatet më të njohura janë: argjendaria, punimi i qelesheve, farkëtaria, saraçët, etj.
Pra ka një numër të madh të artizanateve që janë punuar me një përkushtim të madh nga mjeshtërit të cilët punën e tyre e kanë bartur brez pas brezi deri në ditët e sotme.



HOTELERIA DHE GASTRONOMIA



Tradita shumëvjeçare e këtij qyteti që ka pasur në lëmin e turizmit ka ndikuar që të ketë një numër të objekteve hoteliere, të cilat ofrojnë kushte të mira për akomodim dhe relaksim. Gastronomia është poashtu një ndër elementet kryesore që e veçojnë këtë qytet për nga mjeshtëria dhe tradita e të përgatiturit.
Mund të shijoni ushqimin tradicional i cili ofrohet në restaoranetet që gjinden në pjesët më të bukura të qytetit ,ku mbretëron qetësia dhe gjelbërimi rreth jush.



NATYRA DHE AMBIENTI



Komuna e Pejës njihet si qytet ekologjik me më se 70% të sipërfaqes të mbuluar me gjelbërim. Është regjioni malor i Rugovës që e përbën pjesën më të madhe me gjelbërim, duke përfshirë mbi 52% të sipërfaqes dhe njëherit njihet edhe si freskia e qytetit të Pejës. Ka atraksione, bukuri dhe pasuri të shumta natyrore, duke u nisur nga Gryka piktoreske e Rugovës, lumenjt, liqejnet në lartësi prej 1860 m, burimet ujore, ujëvarat, shpellat, si dhe shumëllojshmëria e florës dhe faunës.
Poashtu, brenda qytetit, pothuajse në çdo kënd, ekzistojnë oazat e gjelbëruara të cilat ia shtojnë bukurinë qytetit, mbajnë ajrin e freskët dhe mundësojnë relaksimin e qytetarëve.