MUZEU ETNOLOGJIK


Konaku i Tahir Beut në të cilin tani gjendet muzeu etnologjik është shtëpi e vjetër qytetare që i takon gjysmës së dytë të shek. të 18-të. Është njëri ndër ekzemplarët më të bukur të shtëpisë së vjetër qytetare të tipit asimetrik. Kjo shtëpi është mjaft interesante edhe nga aspekti i ruajtjes së elementeve arkaike, pothuaj gati të paprekura në enterier, ndaj si e tillë kjo shtëpi paraqet një objekt me rëndësi kulturore, si në aspektin arkitektonik, ashtu edhe në atë etnologjik. Këtu, bie fjala, ende ruhen mjaft mirë dollapët e murit, tavani i drurit, dyert dhe dritaret si dhe dyshemeja prej dërrasave. Në këtë muze janë të ekspozuara mbi 120 eksponate të cilat e tregojnë kulturën edhe traditat e këtij vendi. Në kuadrin e monumenteve mbivarrore të kohës Ilire, stela dhe cipusi zënë vend me rëndësi. Këto dy eksponate i përkasin shek.II të erës sonë. Janë zbuluar në vitet70-ta, në lokalitetin arkeologjik pranë Fabrikës së Baterive.


Nga veglat e punës më tepër janë të përfaqësuara ato që kanë të bëjnë me përpunimin e leshit, si: furka tipash të ndryshëm, pastaj shtiza, boshte për tjerrje, çikrikë, gërhanë, vegje, etj. Vend me rëndësi në ekspozitë zënë edhe tekstilet.
Numrin më të madh të tyre e përbëjnë punëdoret e imta, të punuara kryesisht me grep e gjilpërë. Të gjitha këto eksponate janë interesante, qoftë për nga materiali e teknika e punimit, qoftë për nga ornamentika që herë-herë të çon në lashtësi te të parët tanë - ilirët.


Muzika dhe instrumentet muzikore poashtu kanë qenë një nga pikat kulturore që në trevën tonë kanë qenë të kultivuara. Në kuadrin e instrumenteve muzikore, vend me rëndësi zënë edhe instrumentet me tela, veçmas lahutat, si instrumente të lashta të cilat edhe sot e kësaj dite përdoren në rajonin e Pejës, veçmas në regjionin e Rugovës.